Ballina Aktuale PARA SE TË KËRKOHET LLOGARIA NGA BEOGRADI, JEPET LLOGARI PËR LUGINËN

PARA SE TË KËRKOHET LLOGARIA NGA BEOGRADI, JEPET LLOGARI PËR LUGINËN

SHPËRNDAJE

Qasje

Patriotizmi nuk matet me fjalimet në Beograd, por me drejtësinë që u bëhet shqiptarëve në vendin e tyre.

Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të kërkohen pa kompromis nga Beogradi, por kjo nuk i përjashton përfaqësuesit politikë shqiptarë nga përgjegjësia për mënyrën se si e kanë ushtruar pushtetin ndër vite.

Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorët e tij duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve thelbësore: Çfarë është bërë gjatë rreth dy dekadave të pushtetit në Bujanoc dhe Preshevë për arsimin, kulturën, rininë dhe zhvillimin institucional? A janë garantuar mundësi të barabarta për të gjithë shqiptarët, apo përkatësia partiake ka ndikuar në punësime, përkrahje dhe vendimmarrje?

Nepotizmi

Për vite me radhë, nepotizmi, punësimet partiake dhe ndikimi politik në institucione kanë qenë objekt kritikash në Luginë. Po ashtu, shumë qytetarë dhe organizata kanë ngritur shqetësime për trajtimin e pabarabartë dhe mungesën e transparencës. Këto pretendime meritojnë përgjigje konkrete, jo heshtje apo etiketime politike.

Në vitin 2013, u detyrova të rikthehem në Bashkësinë Islame, sepse, sipas përvojës sime, ndërhyrjet politike po rrezikonin edhe punën e profesoreshave dhe zhvillimin e mësimit fetar. U përpoqa t’i mbroja kuadrot dhe institucionin nga ndikimet partiake. Por, në vend që të vlerësohej përpjekja për të ruajtur pavarësinë institucionale, ndaj meje u ngritën akuza se po bashkëpunoja me serbët. Kur kërkon të drejtat e shqiptarëve, të quajnë bashkëpunëtor; kur kërkon që institucionet të mos kapen nga partitë, të shpallin kundërshtar.

A është Serbia përgjegjëse për çdo padrejtësi që na ka ndodhur, apo duhet të kemi guximin të flasim edhe për përgjegjësinë e pushtetarëve shqiptarë? Unë kam përjetuar dhe dëshmuar se si, pas vitit 2002, politika shqiptare në Luginë ka ndërhyrë në institucione, shkolla, arsim, kulturë dhe organizata, duke i kthyer ato në fusha të rivalitetit partiak. Kam parë se si emërimet e drejtorëve dhe vendimet për kuadrot arsimore janë bërë objekt ndikimi politik.

Pengesat institucionale

Lufta për pushtete lokale dhe ato qendrore në Luginë të Preshevës, bëhet për interesa të dyfishta. Disa parti politike që marrin pushtete në nivel komunal dhe republikan, kundërshtarët e tyre i pengojnë me ndihmën e pushtetit qendror, qoftë në realizimin e projekteve, qoftë edhe në dhënien e bursave fëmijëve të tyre. Po provoi ndonjë nga ata të kërkoj sqarime nga pushtetet qendrore, ata thonë se autoritet komunale kanë legjitimitetin e votës për të vendosur se kush mund të pëefitojnë nga kërkesat e tyre. Ata që dikur thirreshin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tan inga pozitat që kanë i shkelin ato.

Është e papranueshme që ata që kërkojnë drejtësi të etiketohen si tradhtarë vetëm pse nuk pajtohen me pushtetin. Kundërshtimi politik nuk është tradhti, ndërsa kritika ndaj institucioneve nuk është armiqësi ndaj çështjes kombëtare.

Përgjegjësia nuk i takon vetëm Beogradit. Edhe përfaqësuesit shqiptarë duhet të japin llogari për vendimet, politikat dhe mundësitë që kanë pasur në duart e tyre. Marrëveshja e vitit 2001 hapi rrugën për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por këto të drejta kërkojnë punë të vazhdueshme, institucione të pavarura dhe përkushtim përtej interesave partiake.

Monopoli

Lugina e Preshevës nuk është pronë e asnjë partie dhe asnjë individi. Ajo u përket të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim bindjeje politike. Prandaj, askush nuk mund ta monopolizojë patriotizmin dhe askush nuk duhet të përjashtohet nga të drejtat vetëm pse nuk është pjesë e rreshtit politik të pushtetit.

Shaip Kamberi, kërkimi i të drejtave në Beograd është i domosdoshëm, por po aq i domosdoshëm është reflektimi për mënyrën se si janë trajtuar shqiptarët në Luginë. Drejtësia nuk mund të kërkohet vetëm nga të tjerët, ndërsa përgjegjësia jonë të mbetet jashtë diskutimit. Ju tani me disa bashkëpartiakë gëzoni privilegje në Kosovë dhe Serbi, madje duke e rregulluar nenshtetësinë, kurse shumë banorë nga Malësia e Bujanocit, që nga viti 1999, në Gjilan dhe rrethinë akoma kanë mbetur pa rregullim të dokumenteve. Kështu dikur bënin edhe komunistët serbë në Kosovë krijonin probleme artificiale për të fituar pushtete, a në anën tejtër blenin pasuri nëpër qendra të ndryshme të Serbisë dhe u vendosnin familjarisht. Kështu po veprojnë tani edhe disa nga pushtetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës, të cilët e rregullojnë edhe nënshtetësinë e Kosovës, duke blerë pasuri atje, si dhe marrin pensione të dyfishta edhe të Serbisë edhe të Kosovës. Pse nuk janë marrë parasysh studentët nga Lugina e Preshevës, tua rregullojnë nënshtetësinë në Kosovë, që ata të mos trajtohen si të huaj e mos të marrin bursa, projkete dhe pagesa semestrale si banorë nga shtete të tjera?

Porosia

Mesazhi im përfundimtar është i qartë: Patriotizmi nuk është privilegj politik, pushteti nuk është pronë private dhe drejtësia nuk mund të ketë dy standarde. Shqiptarët e Luginës meritojnë përfaqësues që kërkojnë të drejta në Beograd, por që njëkohësisht garantojnë barazi, dinjitet dhe transparencë në shtëpinë e tyre.