Ballina Aktuale RASTI BASHKIM ALIU: A DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI VETËM INDIVIDI APO EDHE...

RASTI BASHKIM ALIU: A DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI VETËM INDIVIDI APO EDHE INSTITUCIONI?

SHPËRNDAJE

Ngjarja që lidhet me imamin Bashkim Aliu dhe largimin e tij nga funksionet në organizatat islame në Zvicër kërkon një vlerësim serioz, të matur dhe pa paragjykime.

Nga këndvështrimi i një qasjeje progresiste, ky rast duhet parë në disa dimensione: përgjegjësia personale e një udhëheqësi fetar, përgjegjësia institucionale e organizatave dhe ndikimi i kësaj ngjarjeje në komunitetin mysliman shqiptar në Zvicër.

Sipas raportimeve të publikuara më 8–9 nëntor 2026, Bashkim Aliu është larguar nga funksionet e tij në dy organizata. Reagimet lidhen me një deklaratë të vitit 2017 për Paradën e Krenarisë në Prishtinë, të cilën ai e kishte cilësuar si paradë turpi, si dhe me pjesëmarrjen e tij në një konferencë në Doha në vitin 2024.

Por, a është ky largim i arsyeshëm dhe, mbi të gjitha, a është i mjaftueshëm?

Nga këndvështrimi institucional, organizatat VIOZ dhe FIDS kanë përgjegjësi jo vetëm ndaj anëtarëve të tyre, por edhe ndaj shoqërisë zvicerane dhe institucioneve publike me të cilat bashkëpunojnë, përfshirë ato prej të cilave përfitojnë mbështetje financiare.

Një person që mban përgjegjësi të lartë teologjike dhe përfaqësuese duhet të tregojë kujdes të veçantë në deklaratat publike dhe në aktivitetet ku merr pjesë.

Prandaj, nuk do të nxitoja ta cilësoja vendimin e organizatave as të drejtë, as të padrejtë, pa i njohur arsyetimin, procedurat dhe faktet mbi të cilat është mbështetur.

Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër që nuk duhet anashkaluar: një organizatë serioze nuk duhet të veprojë vetëm nën presionin e mediave, opinionit publik apo klimës politike. Duhet të bëhet dallimi ndërmjet qëndrimeve personale të individit dhe përgjegjësisë institucionale.

Distancimi duhet të mbështetet në fakte, procedura të drejta dhe standarde të njëjta për të gjithë. Në të kundërtën, shtrohet një pyetje legjitime: a ishte vetëm ky person brenda organizatës që mbante qëndrime të tilla, apo kemi të bëjmë me një problem më të gjerë të kulturës dhe përgjegjësisë institucionale?

Këtu qëndron edhe çështja më e rëndësishme.

Nëse organizatat kanë vlerësuar se Bashkim Aliu nuk i përfaqëson më parimet dhe vlerat e tyre, kanë të drejtë të distancohen prej tij. Por, a kanë ato edhe përgjegjësi për mënyrën se si e kanë përzgjedhur, mbikëqyrur dhe vlerësuar përfaqësuesin e tyre deri më tani?

Nëse një person ka mbajtur për vite me radhë pozita të rëndësishme, organizata nuk mund ta trajtojë të gjithë këtë çështje thjesht si problem individual.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh financimin publik që ka përfituar VIOZ. Sipas raportimeve, kantoni i Cyrihut ka ndarë rreth 2.5 milionë franga gjatë periudhës 2017–2025 për projektin e kujdesit shpirtëror mysliman.

Një mbështetje e tillë financiare e rrit edhe më shumë përgjegjësinë për transparencë, mbikëqyrje dhe llogaridhënie.

Ky rast nuk duhet të shndërrohet në një gjykim kolektiv ndaj institucioneve islame apo komunitetit mysliman. Po ashtu, nuk duhet të krijohet përshtypja se një individ, pavarësisht pozitës së tij, përfaqëson të gjithë komunitetin.

Nga ana tjetër, organizatat islame nuk duhet të distancohen nga një individ vetëm nga frika e kritikave publike apo e polemikave mediatike. Nëse vendosin të ndërpresin bashkëpunimin, duhet ta bëjnë këtë për arsye të qarta, të argumentuara dhe në përputhje me parimet e tyre.

Por, nëse kërkohet përgjegjësi nga individi, duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia e atyre që e kanë emëruar, mbështetur dhe mbajtur në detyrë.

Nuk mund të kërkohet llogari vetëm nga ai që largohet, ndërsa ata që e kanë drejtuar institucionin dhe kanë mbajtur përgjegjësinë për vite me radhë të mbeten jashtë çdo përgjegjësie.

Prandaj, mendoj se largimi i Bashkim Aliut, nëse konsiderohet i domosdoshëm, nuk duhet të jetë akti i fundit i këtij procesi. Duhet të ketë një shqyrtim serioz edhe të përgjegjësisë së kryesisë dhe mekanizmave të saj të mbikëqyrjes.

Nëse vërtetohet se ka pasur dështime institucionale, atëherë përgjegjësia nuk mund të ndalet te një individ. Edhe kryesia duhet të japë llogari dhe, nëse është e nevojshme, të tërhiqet.

Nuk është e drejtë që një individ të bëhet mish për top, ndërsa pas largimit të tij të krijohet përshtypja se gjithçka është në rregull.

Institucionet nuk dëshmohen vetëm kur dinë të largojnë njerëz, por sidomos kur kanë guximin të marrin përgjegjësi për vendimet dhe dështimet e veta.

Mustafë Memeti
Teolog, kryetar i KFAOS në Zvicër