Ballina Aktuale BIPBM-ja konsolidohet me kuadro të reja

BIPBM-ja konsolidohet me kuadro të reja

SHPËRNDAJE

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mbajti mbledhjen e Kuvendit me karakter zgjedhor, duke u plotësuar me anëtarë të rinj.

Portali “jetapress”, bënë të ditur se në këtë seancë kuvendore të BIPBM, për kryetar të këtij organi më të lartë të institucionit fetar, njëzëri u zgjodh prof. Mevludin Xhelili. Gjithashtu, nga të njëjtat burime mësohet se prof. Xhelili, këto ditë është emëruar zyrtarisht nga kreu i BIPBM-së, koordinator i mësimit të lëndës fetare për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Në kudër të seancës së Kuvendit të BIPBM-së, u zgjodh edhe komisioni përgjegjës për lëndën fetare, i cili ka për mision caktimin e kuadrit arsimor për lëndën fetare nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kuvendi i BIPBM-së, sipas Kushtetutës, numëron 15 anëtarë: 6 nga Presheva, 6 nga Bujanoci dhe 3 nga Medvegja, për her të parë  në Kuvend përfshihet edhe një përfaqësues nga nacionaliteti Rom nga Bujanoci si dhe një përfaqësues nga Malësia e Bujanocit .

Zëri i Kuvendit, me përbërje të re, do të jetë një zë i fuqishëm për realizimin e të drejtave fetare në veçanti dhe të drejtave shqiptare në përgjithësi, në Luginë dhe Serbi.

Gjithashtu, nga ky Kuvend del Apeli, si një mesazh paqësor për uljen e tensioneve në fushën politike dhe fetare, për të mbizotëruar paqa dhe dialogu, gjithashtu, duke apeluar te institucionet e Serbisë, për t’i respektuar dhe avancuar të drejtat e besimtarëve në mbarë territorin e saj.

Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef.Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame për Serbi, pas përmbylljes së së punimve të Kuvendit zgjedhor, u shpreh se këto procese janë të natyrshme, të cilat plotësojnë vakumin, duke plotësuar dhe konsoliduar me kuadro të reja, të denja për t’i çuar përpara objektivat statutore dhe programore të institucionit, që drejton.

“Mjaft më me paralelizma në Luginë. Ligjet e vendit ku jetojmë, duhet të jenë të barabartë për të gjitha institucionet, pavarësisht misionit të tyre politik, kulturor, arsimor ose fetar. Ka mbaruar koha kur disa institucione vendore përfitonin në emër të Ligjit të Serbisë, e Bashkësia Islame jo”, theksoi Myftiu Saqipi.

Ndërkaq, kryetari i ri i sapozgjedhur i Kuvendit të BIPBM-së, prof. Mevludin Xhelili, për “jetapress”, falënderoi kolegët për besimin e dhënë, duke u zotuar se do t’i përfaqësoj denjësisht, gjithnjë në bashkëpunim dhe koordinim, me kreun udhëheqës të BIPBM-së.

Në fund, pas mbarimit të punimeve të Kuvendit të BIPBM-së, njeriu i parë i këtij institucioni të lartë fetar. Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, për të pranishmit shtroi një Iftar në Restorantin “Agimi”, në Bujanoc, njofton jetapress.

Komisioni per lenden fetare per shkollat shqipe ne Lugine