Ballina Lajme Nga Vendi Bujanoc: Stabiliteti dhe efikasiteti i një kuvendi

Bujanoc: Stabiliteti dhe efikasiteti i një kuvendi

SHPËRNDAJE

Me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër po dëshmohet qëndrueshmëria, efikasiteti dhe përgjegjësia e organit më të lartë të pushtetit vendor, Asamblesë komunale të Bujanocit, e cila po reflekton pozitivitet në mbarëvajtjen e seancave të saj dhe miratimin e vendimeve me rëndësi jetike për qytetarët e saj.

Kështu ndodhi edhe me seancën e pestë të rregullt të Kuvendit Komunal, i cili edhe pse në mungesë të kryetarit Jonuz Musliu, për shkaqe shëndetësore, u drejtua në mënyrë të suksesshme nga zëvendëskryetari Basri Veseli.

Ndonëse përbërja e pikave të rendit të ditës, në këtë seancë, ishte mjaft e nxehtë siç ishte ajo rreth buxhetit, të hyrave dhe shpenzimeve të komunës deri në qershor të këtij viti, pavarësisht polemikave dhe replikave nga ana e opozitës, kaloi pa ndonjë problem.

“Jetapress”, mëson nga zëvendëskryetari i Kuvendit komunal të Bujanocit, Basri Veseli, kryesues i seancës, se qëllimi i opozitës është si gjithherë, zvarritja e miratimit të pikave të rendit të ditës dhe polemikat rreth disa problematikave siç ishte ajo e buxhetit komunal. Mirëpo, ne me shembuj dhe argumente arrijmë t’i tejkalojmë këto barrierë të natyrës politike, duke i hapur rrugë kuvendit për miratimin e vendimeve, të cilat janë me peshë për qytetarët e kësaj komune multietnike.

Ndërsa sa i përket ish Ndërmarrjes Publike “Direkcioni”, e cila zgjoi reagime nga ana e këshilltarëve opozitarë të ish pushtetit gjatë mandatit të kaluar, theksoi z/kryetari Veseli, problem qëndron te e kaluara e shpenzimeve të pa-arsyeshme të buxhetit të saj, pasojat e të cilit po i heq edhe pushteti aktual.

Sa i përket braktisjes së punimeve të seancës kuvendore nga radhët e grupimit të këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe të partisë së kryeministrit Vuçiq, z/kryetari Basri Veseli, tha se një veprim i tillë, nuk është i ri, ata janë mësuar të veprojnë kështu, duke shkelur vullnetin e elektoratit të tyre, i cili i ka votuar për të kontribuar në kuvend e jo për të ikur nga ai. Organi i përkohshëm në Preshevë është një shembull i keq, i cili na mëson për të mos e ndjekur një rrugë të tillë e cila të lë pa buxhet, donacione dhe investime të tjera infrastrukturore dhe ekonomike, njofton jetapress.