Ballina Aktuale Për një Këshill Kombëtar Shqiptar, më ndryshe…

Për një Këshill Kombëtar Shqiptar, më ndryshe…

SHPËRNDAJE

Që nga themelimi i Këshill Kombëtar Shqiptar e këndej, asnjëherë nuk ka qenë kaq i madh interesimi partive politike, për të marrë pjesë në zgjedhje për kreun e këtij institucioni, më të lartë politik në Luginë të Preshevës.

Për dallim nga mandatet e mëhershme të KKSH, të cilat drejtoheshin nga dy-tri parti, tani në gara janë paraqitur pesë lista partishë e koalicionesh, të cilat më 13 nëntor, të këtij viti dalin në zgjedhje të reja, me synimet për një Këshill ndryshe.

Ky angazhim gjithëpërfshirës të jep shpresë se, vërtet, përbërja e re e KKSH, do të garantonte një institucion, stabil, efikas dhe të përgjegjshëm.

Po a ka qenë kështu KKSH dhe si duhet të jetë në të ardhmen?

Këshill Kombëtar Shqiptar, në mandatet e kaluara, më shumë është marrë me gjëra sipërfaqësore, se sa me zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë dhe Serbi. Ai, më shumë i ka bërë dëm çështjes kombëtare se sa i ka zgjidhur problemet aktuale.

Gjatë mandateve të kaluara ky institucion nuk arriti ta zgjidh njëherë e përgjithmonë përdorimin me ligj të simboleve kombëtare, prandaj aktualisht shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, jën të vetmit në hapësirat e etnikumit shqiptarë, që nuk gëzojnë të drejtën zakonore për përdorimin e lirë të Flamurit Kombëtar. Po ashtu, shqiptarët e këtij rajoni nuk e kanë të zgjidhur akoma përdorimin zyrtar të dygjuhësisë, pastaj nostrifikimin e diplomave, teksteve shkollore e shumë problem të tjera jetike.

Meqenëse deri tani KKSH, asnjëherë nuk ka pasur një qeverisje të përgjithshme, por duke u ndarë në pozitë e opozitë, ka bërë që vendimet e këtij institucioni të jenë të njëanshme, parciale dhe lokaliste.

Koalicioni i partive të KKSH gjysmak, shpesh merrej me bllokimin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, si dhe realizimin e projekteve për kulturë dhe informim, duke dhënë “Pëlqime” dhe “Refrenca” në favor të shkollave dhe shoqatave, që ishin me drejtuesit e këtij institucioni, duke u shkaktuar dëm shkollave, shoqatave dhe mediumeve tjera që nuk ishin në një vijë partiake me ta.

Këto veprime të KKSH, nuk dallonin shumë nga veprimet ish Komitetit të dikurshëm socialist, në godinën e të cilit veprojnë, duke ndaluar programet e mirëfillta kombëtare në ato multietnike, për të thithur sa më shumë donacione nga Beogradi.

Na kujtohet si sot “Përshtatshëmira moralo politike” e ish Komitetit socialist në Bujanoc, të cilën formulë ata e përdornin kundër kuadrove shqiptare, sikur KKSH për zgjedhjen e drejtorëve me ndihmën e Ministrisë e veprime të tjera, të cilat nuk guxojnë të përmenden e lëre më të realizohen.

Shpresojmë se me zgjedhjet e reja KKSH, nuk do t’i përsërit gabimet e kaluara, por do të jetë një institucion i kompletuar, gjithëpërfshirës dhe i denjë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara të shqiptarëve ndër shekuj, për më shumë të drejta në fushën e arsimit, kulturës, informimit, dygjuhësisë, simboleve kombëtare, pa të cilat nuk mund te ketë përparim qytetar e kombëtar. /R.Rexhepi/