Dje, në Tiranë, me ftesë të Fondacionit për arsim dhe kulturë “Alsar”, qëndroi për një vizitë pune kryetari i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës/reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi.
Delegacionin nga Lugina e priti në mënyrë madhështore drejtori i këtij fondacioni Mehdi Gurra dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët i njoftuan mysafirët për rolin dhe rëndësinë e veprimtarisë shumëdimensionale të këtij fondi.
Myftiu Saqipi, fillimisht falënderoi nikoqirët e fondacionit për ftesën dhe pritjen vëllazërore e miqësor, duke shpalosur përshtypjet rreth takimit me presidentin turk Erdogan në Beograd dhe nevojën që ka populli i Luginës për ndihmë nga bizneset dhe fondacionet e Republikës së Turqisë.
Të dy palët, gjatë bisedimeve të përzemërta, u dakorduan që në të ardhmen takimet e tilla të shpeshtohen dhe të hulumtohen mënyrat e bashkëpunimit në të gjitha sferat e veprimtarisë.
Në fund të takimit drejtori i Alsarit Mehdi Gurra e nderoi Myftiun Nexhmedin Saqipin me një dhuratë modeste nga fondacioni,njofton jetapress.