Ballina Aktuale Delegacioni nga Lugina, vizitoi Stambollin dhe Ankaranë

Delegacioni nga Lugina, vizitoi Stambollin dhe Ankaranë

SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e institucioneve të Bashkësisë Islame, pushtetit lokal, biznesit dhe shoqërisë civile, zhvilluan një vizitë një javore në qendrat më atraktive të shtetit turk, në Stamboll e Ankara.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Lugina, pati rastin të takohet me zyrtarë institucionalë nga sferave administrative, politike, arsimore, kulturore, si dhe pati privilegjin të vizitojë shumë vende të pasura me monumente të trashëgimisë historike, për të cilat ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe komuniteti shqiptar, që jeton në Turqi.

Lidhur me rolin dhe rëndësinë e kësaj vizite shumëdimensionale, shkëputëm disa detaje për portalin “jetapress”, nga Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit ishte edhe prijësi i këtij delegacioni: “Me popullin vëlla turk, na lidhin shumë gjëra të përbashkëta, qoftë nga e kaluara historike, qoftë edhe nga tashmja dhe e ardhshmja, me vetë faktin se në Turqi, jetojnë më shumë shqiptarë se sa janë aktualisht në dy shtete shqiptare e disa krahina të tjera të shtetet përreth”.

Në vazhdim, Myftiu Saqipi, kujton mirësinë e nikoqirëve, të cilët për sa zgjati vizita “na kanë pritur me bujarinë dhe fisnikërinë më të madhe, me fjalë miradije dhe me një pritje madhështore, që do të mbahet gjatë në mend. Fjalët që dëgjoheshin më së shumti ishin: ne jemi vëllezër dhe së bashku me shqiptarët e kemi krijuar këtë shtet, e që na lidhin kultura dhe historia e përbashkët. Lumturia e juaj është edhe lumturia jonë, problemet tuaja janë edhe problemet tona”.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe Xhelal Mehmeti, përfaqësues i pushtetit lokal nga Presheva, si dhe Liridon Fejzullahu, Shehat Sherifi, Lulzim Myftari dhe Shefki Jonuzi.

Vizita e parë u zhvillua me autoritetet e Universitetit të Tregtisë në Stamboll, ku na priti  rektori, prof. dr. Ozgur Cengel me zëvendësin e tij prof.dr.Yucel  Ogurlu.

Madje, pritje të veçantë na ofroi Kompania e njohur Turker dhe drejtuesit e saj, Kadrush dhe Faruk Turkeri dhe disa shqiptarë të tjerë, që jetojnë në Turqi.

Takime të frytshme, në ditët tjera të vizitës, u zhvilluan edhe me nënkryetarin e Parlamentit të Turqisë z.Ahmet Gundogdu, me të cilin u bisedua gjerë e gjatë për sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet populli i Luginës së Preshevës. Gjithashtu, i një rëndësie të veçantë ishte takimi në selinë e AK Partisë, ku na priti vëllazërisht kryetari i saj, z. Nedim Yamali.

Në vazhdën e takimeve të kësaj vizite javore, ishte takimi me Ministrin e Diasporës z. Mehmet Kose dhe kryetarin e Komunës më të madhe të Ankarasë Gocioren, z. Mustafa AK dhe në fund me kryetarin e dhomës Ekonomike të Ankarasë, z. Ggursel Baran.

Emërues i përbashkët i agjendës së takimeve me zyrtarë të lartë të Stambollit dhe Ankarasë, ishte njohja për së afërme me problemet me të cilat po përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Ndonëse Lugina e Preshevës, paraqet një rajon strategjik nëpër të cilën kalon Korridori 10, pastaj Hekurudha, që lidh natyrshëm tri shtete e disa kontinente, ajo, mjerisht mbetet visi më i prapambetur në Serbi.

Ndihma e popullit turk, me investime të ndryshme në infrastrukturë e kulturë, do të ndikonte shumë në zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës, duke i ofruar shanse të mëdha për zhvillimin e bizneseve dhe afirmimin e kulturës, pa të cilat nuk ka përparim qytetarë e kombëtarë.

Nga kjo vizitë javore, del mesazhi i qartë se Turqia nuk e ka harruar Luginën dhe popullin e saj paqësor, i cili edhe në këto kushte të vështira, po reflekton pozitivitet në të gjitha sferat e veprimtarisë jetësore.

Si zakonisht, në fund të kësaj vizite të rëndësishme, nuk munguan përshëndetjet vëllazërore se së shpejti do të shiheni në Bujanoc e Preshevë, me programe e projekte konkrete, njofton jetapress.