Ballina Opinione AKTUALITETI I NJË LIBRI PUBLICISTIK

AKTUALITETI I NJË LIBRI PUBLICISTIK

SHPËRNDAJE

Prof. dr. Sali Bashota

 

(Nexhmedin Saqipi: “Një libër me opinione për Luginën”, Rozafa, Prishtinë, 2018)

 

Çdo libër e ka shenjën e vet për të prodhuar ide, koncepte, për të trajtuar tema kombëtare apo universale, për të paraqitur fenomene, dukuri, çështje që ndërlidhen me shoqërinë njerëzore, për të ndërtuar dhe funksionalizuar porosi të shumta dhe të ndryshme tek lexuesi. Në të vërtetë, ky libër ka shumë porosi, qoftë edhe në rrethana të përjetuara për autorin, qoftë për idealitetin e tij, qoftë për misionin.

Librat e karakterit publicistik, siç është libri i autorit Nexhmedin Saqipi, i ndërlidhur me opinionet për Luginën e Preshevës, është libër që i detyrohet aktualitetitit të ditëve tona. Temat e trajtuara  kanë të bëjnë kryesisht me fenomenet dhe paradokset e politikës, të cilat ndikojnë apo e përcaktojnë orientimin e një pjese të shoqërisë shqiptare, siç është Lugina e Preshevës, të ndërlidhura me zhvillimin politik, kulturor, arsimor etj.

Lugina e Preshevës sot është bërë një temë politike e diskutimit në nivelin politik kombëtar dhe ndërkombëtar, prandaj çdo trajtim i problematikës që lidhet me të, duhet  t’i nënshtrohet analizës së diskursit kritik, por edhe analizës së veprimit politik. Natyrisht, këto dy veçori janë paraqitur në  shumicën prej kapitujve të këtij libri.

Libri i Saqipit me materialet që ofron i ndërton dy pamje diametralisht të kundërta: pamjen e faktorit shqiptar të projektuar me identitetin e tyre kombëtar, kulturor, arsimor etj., dhe pamjen e ndërtuar nga shtypi i verdhë serb dhe nga politika e tyre për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por edhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Në libër jepen informacione interesante të mbështetura në fakte dhe argumente që kanë të bëjnë me zhvillimet e ndryshme në Luginën e Preshevës, pothuajse në të gjitha fushat. Karakterizimet e autorit funksionalizohen në drejtim jo vetëm të evidentimit të këtyre çështjeve dhe problemeve, por edhe të analizës së tyre të saktë dhe të qartë, nga prodhohet problematika e shqyrtuar, siç është në radhë të parë, tema e korrigjimit kufirit.

Retrospektiva dhe perspektiva janë dy domene nga përcaktohet tematika kryesore e shqyrtimit të çështjeve. Pra, konteksti historik dhe kulturor i Luginës së Preshevës në të kaluarën dhe perspektiva e sotme trajtohen në kapitujt e këtij libri publicistik. Jepen analiza, shembuj, interpretime, vlerësime.

Autori ka provuar dhe ia ka arritur me sukses ta fuqizojë dimensionin e së vërtetës për Luginën e Preshevës. Kjo është esenca dhe porosia e librit. Madje, në këtë drejtim kërkimet e tij shkojnë përtej fushës së informacionit të gazetarisë.

Libri për Kosovën Lindore, siç njihet kjo pjesë e Luginës së Preshevës, synon t’i paraqesë tri parime kryesore që kanë të bëjnë me një popull dhe me shoqërinë njerëzore në të gjitha periudhat, jo vetëm sot. Këto parime fundamentale janë: e drejta, e vërteta dhe liria. Gjithsesi, këta janë përbërës kryesorë të qasjes së autorit edhe kur flitet për të drejtën shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Veprimtaria kombëtare, shoqërore, politike, kulturore, arsimore, etj., e shqiptarëve është e pranishme në këtë libër. Secila e ka rolin dhe rëndësinë e vet në kohë të vështira ku pasojat ishin të rënda për shumicën e aktiviteteve që i zhvillonin dhe i zhvillojnë edhe sot shqiptarët e Kosovës Lindore.

Libri i Nexhmedin Saqipit është një botim i mirëseardhur në këto rrethana kur flitet dhe shkruhet kaq shumë për Luginën e Preshevës. Opinioni ynë përmes opinionit të autorit, i cili ka përmbledhur dhe sistemuar informacione me interes për zhvillimet ne Luginën e Preshevës, pasurohet, mbase bëhet edhe më i qartë dhe më i plotë.

Aktiviteti krijues i autorit në fushën e gazetarisë është i njohur me shkrime të shumta të  botuara në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë. Gjithashtu, Saqipi dallohet edhe me veprimtarinë e tij në shumë fusha të tjera.

 

Prishtinë, 6 tetor 2018