Ballina Intervista SHOQËRIA CIVILE NUK ËSHTË ARMIK I PUSHTETIT, POR PASQYRA E TIJ

SHOQËRIA CIVILE NUK ËSHTË ARMIK I PUSHTETIT, POR PASQYRA E TIJ

SHPËRNDAJE

Intervistë me shkas

Intervistë me Nexhmedin Saqipin, publicist dhe kryetar i Shoqërisë Civile dhe i Shoqatës së Gazetarëve“Etika” nga Lugina e Preshevës

Z. Saqipi, jemi në prag të ndërrimit të motmotit. Me çfarë do të krenoheshit dhe për çfarë do të ankoheshit në vitin që po lëmë pas? Çfarë prisni nga viti 2026?

– Viti që po e mbyllim ka qenë një vit kontrastesh. Nga njëra anë, ka pasur një vetëdijesim më të madh qytetar, një guxim më të shtuar për të folur hapur për padrejtësitë dhe problemet që po i rëndojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo është arsye për krenari. Nga ana tjetër, ankesa kryesore lidhet me mungesën e rezultateve konkrete nga institucionet, qoftë lokale apo qendrore, si dhe me vazhdimin e politikave diskriminuese që nuk janë ndalur as në këtë vit.

Nga viti 2026 pres më shumë sinqeritet politik, më pak retorikë boshe dhe më shumë veprime konkrete, sidomos në raport me të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Viti që po lëmë pas u karakterizua me një varg zgjedhjesh lokale dhe qendrore në Kosovë dhe me jehonën e tyre në Luginën e Preshevës. Si i vlerësoni këto procese dhe çfarë prisnin realisht qytetarët nga këto ndryshime?

– Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë reflektim emocional dhe politik në Luginën e Preshevës, sepse Kosova shihet si një adresë shprese. Megjithatë, pritjet e qytetarëve shpesh kanë qenë më të mëdha sesa rezultatet reale. Proceset zgjedhore në Kosovë prodhuan ndryshime politike, por jo domosdoshmërisht ndryshime substanciale për Luginën. Qytetarët prisnin angazhim më të strukturuar institucional, strategji afatgjata dhe jo vetëm deklarata simbolike apo fonde pa transparencë.

Sa ishte e pranishme ndihma e Kosovës për Luginën e Preshevës dhe si u manifestua ajo, sidomos kur flitet për miliona euro për të cilat mungon llogaridhënia?

– Ndihma ka ekzistuar, por problemi kryesor nuk ka qenë mungesa e fondeve, por mungesa e transparencës dhe e mekanizmave të kontrollit. Kur askush nuk jep llogari se ku shkojnë milionat, atëherë ndihma humb kuptimin e saj social dhe kthehet në instrument politik. Shoqëria civile ka kërkuar vazhdimisht raportim publik, auditim dhe përfshirje në vendimmarrje, por këto kërkesa shpesh janë injoruar.

Si i vlerësoni qeverisjet lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe cili është bashkëpunimi i tyre me sektorin joqeveritar?

– Qeverisjet lokale vuajnë nga mungesa e autonomisë reale, por kjo nuk e justifikon mungesën e transparencës dhe përjashtimin e shoqërisë civile. Bashkëpunimi me sektorin joqeveritar është më shumë formal sesa thelbësor. Në vend që shoqëria civile të shihet si partnere, ajo shpesh trajtohet si kritike e padëshiruar, çka është një mendësi e trashëguar nga modele jo-demokratike të qeverisjes.

Pse shoqëria civile në Luginën e Preshevës vazhdon të mbetet në margjina dhe nuk përfillet seriozisht nga institucionet?

– Sepse shoqëria civile e pavarur nuk i shërben interesave të ngushta politike. Ajo kërkon llogari, transparencë dhe përgjegjësi – gjëra që shpesh shqetësojnë pushtetin lokal. Në vendet me demokraci të zhvilluara, shoqëria civile është shtyllë e demokracisë; në Luginë, fatkeqësisht, ende shihet si rrezik.

Masivizimi i pasivizimit të adresave, mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe shpërngulja në heshtje e shqiptarëve – kur mund të marrin fund këto probleme?

– Këto nuk janë probleme teknike, por politike. Ato do të marrin fund vetëm atëherë kur do të ketë vullnet politik real dhe presion ndërkombëtar serioz. Përndryshe, shpërngulja do të vazhdojë dhe Lugina do të zbrazet në heshtje, nën sytë e të gjithëve.

Çfarë do të thotë sot të jesh zëri i shoqërisë civile në Luginën e Preshevës dhe qytetar shqiptar në Serbi?

– Do të thotë të ecësh kundër rrymës, të flasësh edhe kur të tjerët heshtin dhe të mos dorëzohesh përballë presioneve. Është një barrë, por edhe një përgjegjësi morale. Të jesh qytetar shqiptar në Serbi sot do të thotë të kërkosh të drejta që diku tjetër janë standard.

Për fund, një dëshirë për këtë fundvit?

– Dëshira ime është që viti i ri të sjellë më shumë unitet qytetar, më pak frikë dhe më shumë guxim për të kërkuar atë që na takon. Vetëm një shoqëri aktive dhe e vetëdijshme mund ta ndryshojë realitetin./Perspektiva/